Arrestohen 8 nxënës pas zjarrit vdekjeprurës në një shkollë në Kenia

14:50 | 29 Maj 2026
arrestohen-8-nxenes-pas-zjarrit-vdekjeprures-ne-nje-shkolle-ne-kenia

Tetë nxënës janë arrestuar në Kenia nën dyshimin se janë përfshirë në një sulm me zjarr në një shkollë vajzash që la të vdekura 16 nxënëse, ka njoftuar policia.

Zjarri shpërtheu në orët e para të së enjtes në Utumishi Girls Academy në Gilgil, rreth 120 km në veriperëndim të kryeqytetit Nairobi. Flakët përfshinë katin e sipërm të një konvikti me 135 shtretër marinari.

Sipas Policisë Kombëtare të Kenias, pas intervistave me nxënës dhe staf si dhe analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë, tetë nxënës u identifikuan si “persona me interes në lidhje me planifikimin dhe ekzekutimin” e zjarrit. Hetimet për shkakun e saktë të incidentit po vazhdojnë.

Policia tha se të dyshuarit u ndaluan për marrje në pyetje pasi u gjurmuan në shtëpitë e tyre dhe u sollën në shkollë. Ata janë pjesë e 30 nxënësve që fillimisht u identifikuan gjatë hetimeve.

Ndërkohë, në shkollë kanë vazhduar skena të dhimbshme, me prindër dhe familjarë që presin lajme për fëmijët e tyre. Disa prej tyre ende nuk kanë marrë informacione nëse të afërmit janë të gjallë, të plagosur apo të zhdukur.

Autoritetet kanë rritur masat e sigurisë ndërsa turma njerëzish kanë kërkuar përgjegjësi dhe hetim të shpejtë për ngjarjen.

Kenya ka një histori të gjatë me zjarre në shkolla, ku shumë raste janë lidhur me zjarrvënie të qëllimshme nga nxënës të pakënaqur me kushtet e jetesës dhe disiplinën, ndërsa të tjerë kanë qenë aksidente.

Po ashtu, mbipopullimi në konvikte dhe mosndjekja e udhëzimeve të sigurisë, të tilla si mbajtja e daljeve të lira dhe dritareve të hapura, janë fajësuar shpesh për numrin e lartë të viktimave, shkruan BBC.

Komento: