
Momente tmerri përjetuan 148 pasagjerë në një anije turistike në brigjet e Marmaris, në Turqinë jugperëndimore, kur anija papritmas filloi të mbushej me ujë dhe u fundos në më pak se një orë.
“Big Boss Diamond”, një anije turistike me temë piratësh e njohur për pushuesit, ishte në një udhëtim ditor pranë Ishullit Paradise dhe Gjirit Akvaryum kur ndodhi incidenti i rëndë.
Sipas raportimeve fillestare, dhjetëra pasagjerë u panikuan dhe filluan të hidheshin në det për të shpëtuar veten, ndërsa në bord ndodheshin edhe rreth 20 fëmijë. Videot që qarkullojnë në mediat sociale kapin momentet dramatike, me anijen që merr një anim të rrezikshëm përpara se të fundoset plotësisht.
Një operacion i madh shpëtimi u nis menjëherë duke përfshirë shërbimet e shpëtimit dhe anijet private në zonë. Autoritetet turke njoftuan se të gjithë pasagjerët u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe u sollën në breg pa viktima ose lëndime serioze.
Një deklaratë nga qeveria e Muglas tha se “ekipet që mbërritën në vendngjarje koordinuan evakuimin e qytetarëve me ndihmën e anijeve aty pranë”, duke vënë në dukje se nuk u gjetën probleme shëndetësore midis të shpëtuarve.
Shkaqet e fundosjes mbeten nën hetim. Megjithatë, disa pasagjerë pretendojnë se një zjarr në motorin e anijes i parapriu kësaj, i cili dyshohet se shkaktoi hyrjen e ujit dhe fundosjen e anijes.
Një turiste britanike që u shpëtua përshkroi përvojën e saj tronditëse, duke thënë karakteristikisht:
“Jam e lumtur që dola që andej dhe jam gjallë”.