
Ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka vendosur tabelat e emrave të rinj të disa rrugëve në veri të Kosovës.
Kjo ka ngjallur pakënaqësi të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili i ka mbuluar shenjat, para se policia t’i hiqte mbulojat.
Në pamjet e publikuara nga mediumi lokal në gjuhën serbe “Kossev”, në rrethin në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur shenjat me emrat e rinj.
Në të njëjtin vend është vendosur emri i heroit të kombit Isa Boletini dhe ngjit me të ai i ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq.
Para gazetarëve që kanë dalë me përcjell ngjarjen, Pacolli ka thënë se qytetarët kanë qenë të informuar për vendosjen e emrave të rinj.
“Ne tani si Ministri po i vendosim, është vetëm proces teknik që ka mbetur”, ka thënë Pacolli.
Ajo ka thënë se emrat janë miratuar nga Asambleja Komunale vitin e kaluar, kur me këtë komunë ka qeverisur Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas saj, vendimi ishte propozuar nga një komision që ka punuar disa muaj për emrat e rreth 80 rrugëve.
Menjëherë pas këtij veprimi, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, i mbuloi shenjat e rrugëve, duke e quajtur një veprim të tillë, si propagandë, pasi sipas tij, komuna e ka anuluar vendimin e vitit të kaluar.
“Ata i vendosën tabelat në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut. Siç dihet, më 30 janar ne kemi miratuar një vendim që e ka shfuqizuar aktin e mëparshëm për riemërtimin e rrugëve, sepse ishte miratuar në kundërshtim me ligjit, nuk pati debat publik dhe nuk pati komision shumë etnik. Asnjë serb nuk mori pjesë në punën e atij komisioni, kështu që vendimet ishin absolutisht të paligjshme”, ka thënë ai.
Pasi i mbuloi shenjat e vendosura nga Ministria, ndërhyri Policia e Kosovës që i hoqi mbulojat.