IPK konfirmon suspendimin e policit të mbrojtjes së afërt të Kurtit

23:50 | 04 Qershor 2026
ipk-konfirmon-suspendimin-e-policit-te-mbrojtjes-se-afert-te-kurtit

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konfirmuar se një zyrtar policor i angazhuar në mbrojtjen e afërt të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është suspenduar nga detyra pas rekomandimit të këtij institucioni.

Në një përgjigje për Klankosova  ky institucion bëri të ditur se rekomandimi për suspendim është dorëzuar rreth dhjetë ditë më parë, ndërsa vendimi është zbatuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Tutje në përgjigje bëhet e ditur se masa është ndërmarrë në kuadër të një hetimi që lidhet me një raport policor të vitit 2025 në Skenderaj. IPK tha se hetimet po fokusohen në deklarime kundërthënëse të dhëna lidhur me këtë rast.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, IPK ju konfirmon se në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor dhe i njëjti bazuar në rekomandimin e IPK-së është suspenduar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Rekomandimi për suspendim është dorëzuar nga IPK në PK para 10 dite. Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me deklarimet kundërthënëse lidhur me rastin e vitit 2025”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Komento: