
Kandidatja për deputete, Shqipe Mehmeti Selimi, ka kujtuar sot ditëlindjen e Heroit Dëshmor Mujë Krasniqi, duke publikuar një mesazh urimi dhe një portret të tij të realizuar së fundmi në Hagë nga bashkëshorti i saj, Rexhep Selimi.
Në postimin e bërë, ajo ka përshëndetur familjen Krasniqi dhe bashkëluftëtarët e heroit, duke theksuar rëndësinë e figurës së Mujë Krasniqit në historinë e luftës çlirimtare.
“Me pikturën e portretit të Heroit Dëshmor MK, të punuar kohëve të fundit nga RS në Hagë, dua të përshëndes familjen Krasniqi dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tij, si dhe sot, më 6 qershor, t’ua uroj atyre ditëlindjen e Heroit”, ka shkruar Mehmeti Selimi.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu Festivalin Folklorik “I këndojmë Lirisë”, i cili organizohet tradicionalisht në Qabiq të Klinës për nder të ditëlindjes së Mujë Krasniqit.
Sipas saj, festivali, që tashmë organizohet prej më shumë se dy dekadash, përbën një ngjarje të rëndësishme kulturore dhe kombëtare që ruan kujtesën historike dhe promovon vlerat e lirisë.
“Uroj të gjithë pjesëmarrësit e festivalit për performancat e tyre dhe për organizimin e një ngjarjeje të tillë kulturore mbarëkombëtare”, ka theksuar ajo.
Festivali “I këndojmë Lirisë” mbahet çdo vit në Qabiq të Klinës dhe mbledh artistë, veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë nga mbarë trojet shqiptare për të nderuar jetën dhe veprën e Heroit Mujë Krasniqi.