Pejë: Arrestohen dy zyrtarë të strukturave paralele serbe, dyshohen për vepra që lidhen me procesin zgjedhor

18:50 | 07 Qershor 2026
peje:-arrestohen-dy-zyrtare-te-strukturave-paralele-serbe,-dyshohen-per-vepra-qe-lidhen-me-procesin-zgjedhor

Policia e Kosovës ka arrestuar Millosh Dimitrijeviqin dhe Ranko Zdravkoviqin, nën dyshimin për vepra penale që lidhen me cenimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe ushtrimin e ndikimit të kundërligjshëm në të drejtën e votës së qytetarëve, merr vesh KosovaPress. Millosh Dimitrijeviq njihet si ish-kryetar i të ashtuquajturave “organe të përkohshme”, respektivisht i komunës paralele serbe në Pejë.

Ai është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe konsiderohet si një nga figurat me ndikim në komunitetin serb në komunën e Pejës. Dimitrijeviq është gjithashtu babai i Darko Dimitrijeviqit, drejtor i Radio Gorazhdecit. Sipas burimeve të KosovaPress, Dimitrijeviq ka mbajtur lidhje të afërta me përfaqësues politikë në Serbi dhe Republikën Srpska, përfshirë ish-ministrin serb të Arsimit, Branko Ruzhiq, si dhe ministren aktuale Snezana Paunoviq.

Ai ka marrë pjesë edhe në takime të mekanizmave konsultativë për komunitete në Komunën e Pejës, ndonëse në vazhdimësi është identifikuar si përkrahës i strukturave paralele serbe. Ndërkohë, Ranko Zdravkoviq është ish-anëtar i bordit menaxhues të komunës paralele të Pejës dhe kryetar i SPS-së për komunën e Pejës. Aktualisht ai ushtron funksionin e anëtarit të Këshillit Lokal për Siguri në Bashkësi (KLSB) në Gorazhdec.

Komento: