
Kryetari i Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, tha se rezultatet preliminare tregojnë se VV-ja ka siguruar vota të mjaftueshme për ta formuar e vetme qeverinë e re.
Pas publikimit të projeksioneve të para zgjedhore, Peci u shpreh i bindur se vendi nuk do të shkojë sërish në zgjedhje dhe se spektri politik duhet t’i lexojë rezultatet me racionalitet.
Ai tha se koalicioni Vetëvendosje ka fituar besimin e qytetarëve për të vazhduar qeverisjen.
“Po 44 është në nivel vendi. Të shohim tash numrin e votave nga mërgata që vijnë. Në bazë të të gjitha projeksioneve, koalicioni Vetëvendosje i ka votat e mjaftueshme që vet me bo prapë qeverinë e radhës. Shihemi në sheshin e fitores edhe për gëzimin për gjithë juve që e keni ndjekur”, tha ai.
Peci tha se nuk pret që vendi të përballet me zgjedhje të reja, duke theksuar se rezultatet duhet të respektohen nga të gjitha partitë politike.
“Unë jam i bindur që vendi nuk do të shkojë në zgjedhje, edhe përfundimisht unë mendoj që në skenën politike duhet me iu rikthy racionalitetit edhe leximit të rezultateve zgjedhore. Prap, koalicioni Vetëvendosjes dhe Albin Kurti e ka fitu besimin e qytetarëve për të qenë kryeministër i vendit”, tha ai.
Ai e cilësoi rezultatin e arritur nga Vetëvendosje si “fantastik”, duke përmendur fitoret e njëpasnjëshme të subjektit politik gjatë vitit të fundit.
“Rezultati është fantastik. Tre herë radhazi për një vit e diçka ne kemi fituar, do të thotë rezultati është fantastik, është shumë i bukur”, tha ai./eo