Skandali me njehsorët elektrikë, MINTI shqiptoi 38 gjoba ndaj KEDS-it në vlerë prej 186 mijë eurove

11:05 | 10 Qershor 2026
skandali-me-njehsoret-elektrike,-minti-shqiptoi-38-gjoba-ndaj-keds-it-ne-vlere-prej-186-mije-eurove

Skandale të shumta energjetike në vend janë raportuar kohëve të fundit, e një ndër ta ishte edhe ai me njehsorët elektrikë.

Siç u raportua në media dhe nga zyrtarë të LDK-së, njehsorët elektrikë e regjistronin orën më mbrapa dhe derisa qytetarët shpenzonin energjinë pas orës 23:00 me qëllim kursimin e parave pasi që në atë kohë energjia llogaritet të jetë me çmim më të lirë, te njehsorët ora nuk kishte arritur ende 23:00.

Ky mashtrim i qytetarëve solli edhe reagimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë saktësisht Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.

Ata kanë filluar menjëherë inspektimet duke kontrolluar të gjithë njehsorët, dhe për ata njehsorë ku kanë gjetur probleme të tilla, ata kanë gjobitur KEDS-in.

MINTI përmes një përgjigje për lajmi.net tha se deri me datën 5 qershor të këtij viti, IQMT ka nxjerrë 38 vendime me ndëshkim me gjobë, në vlerë totale të gjobave 186 mijë euro.

“IQMT po vazhdon inspektimet e njehsorëve elektrikë bazuar në ankesat e konsumatorëve të parashtruara në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Në fund, legjislacioni përcakton veprimet për të cilat IQMT ka mandat të veprimit. IQMT ka ndërmarrë dhe vazhdon të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Më 1 prill të këtij viti, MINTI ka njoftuar se ka filluar verifikimi i ankesave të para nga konsumatorët për njehsorët elektrikë.

“Komisioni i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, sot gjatë ditës ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut. Njehsorët, që janë vërejtur se kanë mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë sjellë për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës. Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftim.

Ata iu kishin bërë thirrje të gjithë qytetarëve që parashtrojnë ankesa në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net, të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme.

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka dorëzuar në Polici më 7 prill të këtij viti dosjen me dëshmitë rreth njehsorëve elektrikë, si dhe po dëshmon në cilësinë e dëshmitarit.

Ky veprim vjen pasi ditë më parë, LDK-ja ka denoncuar se njehsorët e rrymës po kalkulojnë me orë të gabuar shpenzimet.

Azemi tha para medieve se është ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqitur dëshmitë që i kanë mbledhur dhe ato që ua kanë dërguar qytetarët. Ai tha se është në proces të dëshmisë, ku po dëshmon si dëshmitar.

“Të gjitha këto manipulime, i gjithë ky skandal që ka filluar me njehsorët elektrik po mundohet me u minimizu edhe nga ana e KEDS-it dhe fatkeqësisht edhe nga ana e Qeverisë, në këtë rast nga ana e Ministrisë së Industrisë, ku akoma po manipulojnë me qytetarë, po thojnë që këto devijime të cilat i kanë pranu dhe i kanë tërheq disa njehsorë elektrikë nga qytetarët, po e masin saktë sasinë por nuk po tregojnë ku është problemi”, tha Azemi.

Ai shtoi se energjia elektrike, e cila është dashur të faturohet me të lirën sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, është faturu me tarifën e shtrenjtë.

Azemi theksoi se po kërkon që të mos lejohen intervenimet as të KEDS-it dhe as të Ministrisë, që të hiqen provat- ndërrohen njehsorët, ngase kjo është vepër penale.

I njëjti kishte thënë se pret që qytetarët të kompensohen për humbjet, duke shtuar se do të organizojë një peticion me të cilin do të kërkojë që qytetarëve t’iu kthehen paratë që u janë marrë padrejtësisht.

Komento: