
AC Milan po lëviz seriozisht për emrin e ri në pankinë dhe favoriti kryesor duket të jetë trajneri austriak Oliver Glasner.
Sipas raportimeve nga mediat londineze dhe italiane, një takim i rëndësishëm mes drejtuesve të Milanit dhe Glasner është caktuar për sot në ora 16:00, ndërsa palët janë shumë pranë marrëveshjes finale.
Burime pranë klubit të mediave angleze bëjnë të ditur se trajneri austriak është “një hap larg” marrjes së drejtimit të kuqezinjve.

Glasner ka bindur drejtuesit e Milanit me idetë e tij taktike dhe projektin afatgjatë, ndërsa më herët është raportuar se ai zhvilloi edhe një takim gjashtëorësh me krerët e klubit, ku u diskutua për stilin e lojës, merkaton dhe ndryshimet në strukturën sportive të ekipit.
Ish-trajneri i Crystal Palace shihet si profili ideal për revolucionin që Milani dëshiron të nisë këtë verë, sidomos pas sezonit zhgënjyes në Serie A. Mediat italiane raportojnë se edhe drejtuesit e projektit sportiv të klubit janë në një linjë për emërimin e tij. /ORAinfo/