Kryeprokurori Gashi takon përfaqësuesit e Thesarit Amerikan, flasin për luftimin e shpëlarjes së parave

17:30 | 10 Qershor 2026
kryeprokurori-gashi-takon-perfaqesuesit-e-thesarit-amerikan,-flasin-per-luftimin-e-shpelarjes-se-parave

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka pritur sot në takim përfaqësues të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilët ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit në luftimin e kriminalitetit ekonomik dhe pastrimit të parave.

Në takim morën pjesë z. Joseph W. Burke dhe z. Norman Richard Smith.

Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, kryeprokurori Gashi shprehu mirënjohjen për vizitën dhe vlerësoi gatishmërinë e palës amerikane për thellimin e bashkëpunimit. Ai theksoi se puna e përbashkët është e rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e efikasitetit në zbatimin e ligjit.

Gjatë takimit u diskutua në veçanti për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e pastrimit të parave, hetimin dhe zbulimin e veprave penale të natyrës financiare, si dhe adresimin e formave të sofistikuara të kriminalitetit ekonomik.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit Amerikan shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë në Kosovë, me synim avancimin e mekanizmave për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e suksesshëm të kriminalitetit ekonomik, me fokus të veçantë në luftimin e pastrimit të parave dhe krimeve të tjera financiare.

Në përmbyllje të takimit, kryeprokurori Gashi falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm, duke ritheksuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare ligjzbatuese, me qëllim luftimin e dukurive negative dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Komento: