Tetë ulëse për Aleancën: Dorëzimi i mandateve mundëson hyrje të reja në Parlament

13:40 | 11 Qershor 2026
tete-ulese-per-aleancen:-dorezimi-i-mandateve-mundeson-hyrje-te-reja-ne-parlament

Në bazë të të dhënave preliminare të votave të numëruara deri më tani dhe të publikuara në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Aleanca ka siguruar tetë mandate në Parlamentin e Kosovës nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Me numërimin e 87 për qind të votave të kandidatëve për deputetë, Ardian Gjini, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha, Burim Ramadani, Time Kadrijaj dhe Agim Çeku kanë fituar mjaftueshëm vota për të hyrë në Kuvend.

Por, ky rezultat nuk përmbush kuotën gjinore të kërkuar prej së paku 30% që duhet të jenë deputetë të njërës apo gjinisë tjetër.

Megjithatë, kreu i Aleancës, Gjini, dhe ish-deputeti Daut Haradinaj, kanë deklaruar se do të heqin dorë nga mandati i fituar.

Rrjedhimisht, kjo mundëson që, sipas kuotës gjinore dhe votave të marra, Albana Bytyqi dhe Teuta Haxhiu t’i zënë ulëset e tyre në Kuvend si përfaqësuese të popullit, pa larguar ndonjë kandidat që ka fituar vota të mjaftueshme.

Duhet pasur parasysh se shifrat aktuale të votave të numëruara nuk janë finale, dhe renditja e kandidatëve për deputetë mund të ndryshojë.

Komento: