
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka theksuar rëndësinë e interpretimit të markerëve tumoralë në kuadër të vlerësimit të plotë klinik të pacientit, duke sqaruar se ata nuk përbëjnë diagnozë përfundimtare të kancerit.
Përmes një postimi informues, Kurtishi ka shpjeguar se markerët tumoralë janë tregues biologjikë që lidhen me lloje të ndryshme të kancerit, duke përfshirë PSA në kancerin e prostatës, CA-125 në kancerin e vezoreve, AFP në kancerin e mëlçisë ose tumoret e qelizave germinale, CA 19-9 në kancerin e pankreasit dhe rrugëve biliare, si dhe CEA në kancerin kolorektal dhe forma të tjera të sëmundjes.
Ai ka bërë të ditur se disa nga këta markerë maten përmes analizave të gjakut, ndërsa të tjerë, si HER2, testohen drejtpërdrejt në indin tumoral për të ndihmuar në përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm.
Sipas Kurtishit, markerët tumoralë mund të ndihmojnë në mbështetjen e diagnozës, monitorimin e përgjigjes ndaj trajtimit, zbulimin e rikthimit të sëmundjes, vlerësimin e prognozës dhe orientimin e terapisë së synuar, por nuk duhet të përdoren asnjëherë si mjet i vetëm diagnostikues.
Ai ka theksuar se imazheria, biopsia, patologjia, simptomat dhe historia e pacientit mbeten elemente thelbësore në vlerësimin dhe trajtimin e sëmundjeve malinje.
Kurtishi ka sqaruar gjithashtu se një nivel i lartë i një markeri tumoral nuk nënkupton domosdoshmërisht praninë e kancerit, ndërsa një rezultat normal nuk e përjashton gjithmonë atë.
“Disa markerë mund të rriten edhe në gjendje beninje, ndërsa shumë prej tyre gjenden në lloje të ndryshme kanceresh, prandaj konteksti klinik mbetet vendimtar në interpretimin e tyre”, ka theksuar ai.