
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e sigurisë në vend, përfshirë veriun, aktualisht mbetet e qetë, por ka theksuar se misioni i NATO-s vazhdon të jetë vigjilent në terren.
Ulutash tha se, krahasuar me mandatin e tij të parë në krye të KFOR-it, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë nuk ka ndryshuar ndjeshëm.“Ajo është përgjithësisht e qetë.
Nuk ka tregues për rrezik të sigurisë apo kërcënime të drejtpërdrejta ndaj një mjedisi të sigurt dhe të qetë. Megjithatë, ende ka një numër çështjesh të pazgjidhura që duhet t’i marrim parasysh”, ka thënë Ulutash në një intervistë për Telegrafin.
Ai shtoi se KFOR-i çdo ditë mban prani të dukshme dhe fleksibile në terren, përmes patrullimeve të rregullta, pikave të vëzhgimit dhe kontakteve me përfaqësues të komuniteteve lokale.
I pyetur për situatën në veri dhe masat që KFOR-i po ndërmerr për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve pas sulmit në Banjskë, Ulutash tha se gjendja edhe në atë pjesë të vendit është e qetë.
“Aktualisht, situata e sigurisë në veri të Kosovës është gjithashtu e qetë. Nuk kemi parë incidente të ngjashme të sigurisë që nga viti 2023”, deklaroi komandanti i KFOR-it.