
Milani po vazhdon kërkimin për trajnerin e ri, ndërsa pronari Gerry Cardinale po merr kohën e tij për të finalizuar emërimin, pavarësisht se ekziston tashmë një draft-marrëveshje me Oliver Glasnerin.
Klubi kuqezi mbetet pa pasardhës të Massimiliano Allegri, pasi nuk arriti të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.
Edhe pse Glasneri shihet si kandidati kryesor dhe ka një ofertë paraprake për kontratë dyvjeçare, drejtuesit e Milanit po zhvillojnë gjithashtu bisedime me profile të tjera.
Sipas raportimeve nga “Tuttosport”, janë planifikuar takime edhe me kandidatë të tjerë si Ruben Amorimi dhe Matthias Jaissle, të cilët konsiderohen si opsione me një qasje më të re dhe më ofensive në aspektin taktik.

Po ashtu, në listë figuron edhe ish-mbrojtësi i Real Madridit, Alvaro Arbeloa.
Ndërkohë, “La Gazzetta dello Sport” thekson se Glasneri mbetet në pozicion të favorshëm pas suksesit të tij me Crystal Palace, por hierarkia e Milanit po shqyrton me kujdes alternativa të ndryshme për të gjetur profilin ideal.
Jaissle, megjithatë, shihet si një opsion i komplikuar për shkak të klauzolës së lirimit prej 6 milionë eurosh në Arabinë Saudite.
Plani sportiv i klubit lidhet ngushtë edhe me emërimin e një drejtori teknik, ku favorit mbetet Ralf Rangnicku.
Ai thuhet se kërkon kontroll të plotë mbi sektorin teknik, pa ndërhyrje nga figura të tjera të klubit, përfshirë Zlatan Ibrahimovicin.
Ndërkohë, situata në klub është shoqëruar edhe me pakënaqësi të tifozëve, ku protesta me banderola “Free our Milan” janë shfaqur edhe në Londër, pranë “Big Ben” dhe “London Eye”, duke kërkuar ndryshime në menaxhimin e klubit.