
Kandidati për deputet i PDK’së, Artan Behrami, ka reaguar në profilin e tij në ‘facebook’ për vdekjen e Sahit Jasharit, duke thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka shprehur ende ngushëllime publike për vdekjen e ish-komandantit dhe bashkëluftëtarit të Aderm Jasharit.
Behrami ka komentuar edhe reagimin e u.d të presidentes, Albulena Haxhiu, duke thënë se reagimi i saj ka qenë “i ftothë”.
Postimi i plotë:
Deri në këto çaste, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka shprehur ngushëllime publike për ndarjen nga jeta të Sahit Jasharit, komandantit, bashkëluftëtarit dhe familjarit të afërt të Adem Jasharit.
Heshtja ndaj një figure të tillë, e cila lidhet drejtpërdrejt me historinë e rezistencës dhe luftës çlirimtare të Kosovës, është një mungesë empatie dhe respekti institucional.
Përballë një humbjeje të madhe për një familje që mbart një pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës, mosreagimi është i papranueshëm.
Sahit Jashari ishte pjesë e historisë kombëtare të sakrificës, qëndresës dhe luftës për liri.
Ndërkohë, reagimi i u.d. Presidentes, Albulena Haxhiut, është tepër i ftohtë, pasi në të nuk u theksuan gradat ushtarake, meritat e luftës dhe pesha historike e sakrificës së Sahit Jasharit.
Respekti për ata që kanë kontribuar për lirinë e vendit nuk duhet të jetë çështje bindjesh politike, por një minimum i kujtesës dhe mirënjohjes kombëtare!