Mbetën në det të hapur, Policia e Himarës u shkon në ndihmë pesë turistëve të huaj

17:10 | 13 Qershor 2026
mbeten-ne-det-te-hapur,-policia-e-himares-u-shkon-ne-ndihme-pese-turisteve-te-huaj

Policia Kufitare në Himarë u ka shkuar në ndihmë pesë turistëve të huaj në dy raste emergjente të regjistruara në zonën e Gjirit të Filikurit, duke mundësuar shpëtimin dhe evakuimin e tyre në kohë.

Në rastin e parë, katër turistë të huaj, dy shtetas suedezë dhe dy nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët kishin dalë me kajak nga zona e Potamit në drejtim të Filikurit, humbën kontaktin me grupin dhe mbetën të bllokuar për shkak të erës së fortë dhe dallgëve.

Pas njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë kërkimet përgjatë vijës bregdetare dhe arritën t’i lokalizojnë pranë “Gurit të Kuq”. Turistët u evakuuan në mënyrë të sigurt.

Në rastin e dytë, një shtetase australiane kërkoi ndihmë pasi kishte pësuar dëmtime fizike dhe ndodhej e bllokuar në Gjirin e Filikurit.

Menjëherë u angazhua mjeti lundrues i Policisë Kufitare, i cili bëri të mundur lokalizimin dhe transportimin e saj drejt Portit të Himarës, ku më pas u dërgua për trajtim mjekësor në spital.

Turistët falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.

Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve dhe, në këtë kuadër, fton qytetarët që në rast nevoje të telefonojnë në numrin 112.

Komento: