Ndodh shkarkimi i parë në Kupën e Botës, kjo kombëtare largon trajnerin

14:46 | 15 Qershor 2026

Përzgjedhësi i Tunizisë, Sabri Lamouchi, raportohet se është shkarkuar vetëm pak orë pas humbjes së rëndë 5-1 ndaj Suedisë në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026.

Sipas gazetarit të njohur Romain Molina, Federata Tuniziane e Futbollit ka vendosur t’i japë fund bashkëpunimit me teknikun francez pas paraqitjes zhgënjyese në Monterrey.

Megjithatë, deri tani nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga federata, ndërsa më herët gjatë ditës Lamouchi kishte folur si përzgjedhës i Tunizisë, duke analizuar humbjen dhe duke kërkuar që skuadra të eliminojë gabimet përpara ndeshjeve të ardhshme.

Tunizia u shkatërrua 5-1 nga Suedia në ndeshjen hapëse të grupit F, duke pësuar një nga humbjet më të rënda të turneut deri tani. Skuadra afrikane u ndëshkua nga gabimet e shumta në mbrojtje, ndërsa Alexander Isak, Viktor Gyokeres dhe Yasin Ayari udhëhoqën triumfin e suedezëve.

Raportime të tjera nga mediat tuniziane kishin bërë të ditur se pozita e Lamouchit ishte vënë në pikëpyetje menjëherë pas ndeshjes dhe se ishte mbajtur një takim urgjent për të diskutuar të ardhmen e tij.

Komento: