
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë prej 100% ndaj verës dhe shampanjës franceze, nëse Parisi nuk heq taksën e tij mbi shërbimet digjitale që u aplikohet kompanive të teknologjisë.
Franca vendosi në vitin 2019 një taksë prej 3% mbi të ardhurat e realizuara brenda territorit të saj nga kompanitë e teknologjisë, përfshirë gjigantët amerikanë si Facebook, Amazon, Apple dhe Alphabet, kompania mëmë e Google.
Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të presë Trump më 15 qershor, përpara nisjes së samitit të G7 në resortin e Evianit, pranë Liqenit të Gjenevës.
Sipas New York Post, Trump deklaroi se i kishte kërkuar Macronit “të mos taksojë kompanitë amerikane”.
“Nëse e bëjnë këtë, nuk kam zgjidhje tjetër veçse të vendos një tarifë 100% për të gjitha shampanjat dhe verërat që vijnë nga Franca”, citohet të ketë thënë ai. “Gjithçka që duhet të bëjë Macron është të heqë taksën mbi shitjet dhe nuk do të përballej me një presion të tillë.”
Gabriel Picard, president i Federatës Franceze të Eksportuesve të Verërave dhe Pijeve Alkoolike (FEVS), bëri thirrje për ruajtjen e një “marrëdhënieje tregtare të balancuar dhe konstruktive mes Francës dhe SHBA-ve, në interes të të dy ekonomive”.
Ai tha për AFP se mosmarrëveshja “lidhet me çështje që nuk janë në fushën tonë të veprimit, edhe pse kompanitë tona mund të vuajnë drejtpërdrejt pasojat. Ky kërcënim i ri është një lajm i keq për sektorin tonë, i cili mbështetet fuqishëm te eksportet”.
Sipas FEVS, Shtetet e Bashkuara janë tregu më i madh importues i verërave dhe pijeve alkoolike franceze, duke përfaqësuar 21% të eksporteve totale në vitin 2025.
Verërat franceze dhe evropiane që eksportohen në SHBA përballen tashmë me një tarifë prej 15%, nga 10% që ishte më parë.
Federata franceze e eksportuesve raportoi se eksportet e verërave dhe pijeve alkoolike franceze drejt SHBA-ve ranë me 21% gjatë vitit 2025.
Në janar, Trump kishte kërcënuar me tarifa prej 200% ndaj verës franceze, pasi Franca kishte sinjalizuar se mund të refuzonte ftesën për t’iu bashkuar iniciativës së tij të quajtur “Bordi i Paqes”, që synonte zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
Ndërkohë, Kanadaja vendosi në vitin 2025 të heqë taksën mbi shërbimet digjitale për të shpëtuar negociatat tregtare me SHBA-të, pas presionit të ushtruar nga Trump.
Mbështetësit e taksave të posaçme për kompanitë e mëdha teknologjike argumentojnë se qëllimi është që këto kompani të paguajnë taksa në vendet ku zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik, si dhe të kufizohen praktikat e optimizimit fiskal.
Edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump kishte kërcënuar me tarifa ndaj importeve amerikane të shampanjës dhe djathit francez, pasi Franca vendosi taksën për shërbimet digjitale në vitin 2019.