
Aktorja turke Ece İrtem, e njohur për rolin e saj si “Isil” në serialin “One Love”, ka vdekur në moshën 35-vjeçare.
Ajo u gjet e pajetë në banesën e saj mëngjesin e sotëm, 15 qershor, vetëm një ditë pas ditëlindjes së saj. Sipas raportimeve fillestare, shkak i vdekjes dyshohet të ketë qenë një atak në zemër.
E lindur më 14 qershor 1991 në Sivas, Ece İrtem ndoqi studimet e larta në Universitetin Yaşar, ku u diplomua në vitin 2014 në degën e Operës dhe Performancës Vokale, duke u renditur e treta në klasën e saj.

Gjatë viteve të studimeve, ajo punoi dhe u formua profesionalisht pranë emrave të njohur të muzikës klasike, mes tyre sopranoja Aytül Büyüksaraç, drejtori i Operës dhe Baletit Shtetëror të Izmirit, tenori Levent Gündüz, Paolo Susanni, Esra Mamak dhe mezo-sopranoja Anna Chubuchenko.
Që në fëmijëri, İrtem ishte e lidhur me sportin. Paralelisht, ajo shfaqi herët pasionin për aktrimin, duke shkruar dhe interpretuar skenare të vogla në shfaqjet shkollore.
Pas transferimit në Stamboll, ajo vijoi formimin e saj në aktrim në Qendrën Kulturore Sadri Alışık gjatë viteve 2014-2015, ku mori mësime nga emra të njohur si Kayhan Yıldızoğlu, Okday Korunan, Kadim Yaşar dhe Tolga Çiftçi.
Ece İrtem u bë e njohur për publikun e gjerë sidomos për rolin e saj si “Isil” në serialin turk “One Love”, një dramë televizive me shikueshmëri të lartë, e cila i dha asaj një popullaritet të konsiderueshëm edhe jashtë Turqisë, përfshirë edhe publikun shqiptar që ndjek produksionet turke.
