
Gjykimi ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Burim të Malishevës gjatë viteve 1998-1999, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes së tij. Prokuroria Speciale e kundërshtoi propozimin, ndërsa gjykata caktoi vazhdimin e seancave për muajt shtator dhe tetor.
Gjykimi ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes së tij, të përfaqësuar nga avokati Arianit Koci.
Gjatë seancës, prokurori i Prokurorisë Speciale, Armend Zenelaj, kundërshtoi kërkesën për shtyrje, duke theksuar se gjykata më herët kishte obliguar Prokurorinë Speciale të sigurojë deklaratën e dëshmitares anonime me kodin D1.
Pas shqyrtimit të kërkesës, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën, ndërsa vazhdimi i gjykimit u caktua për muajt shtator dhe tetor.Në seancë, avokati Arianit Koci ngriti shqetësime lidhur me një ftesë të dërguar nga gjykata në muajin prill, në të cilën, sipas tij, ai dhe klienti i tij ishin identifikuar si serbë.
Gjyqtari Beqiri sqaroi se bëhej fjalë për një gabim teknik dhe jo për një qëndrim apo tendencë të gjykatës, duke sqaruar se shumica e rasteve të krimeve të luftës që trajtohen në gjykatë kanë të bëjnë me të akuzuar të nacionalitetit serb.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Morina akuzohet se gjatë viteve 1998–1999, në kohën e luftës në Kosovë dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, arrestime dhe keqtrajtime fizike të civilëve në fshatin Burim të Malishevës.
Aktakuza pretendon se nga një grup civilësh shqiptarë u ndanë 35 burra, të cilët u detyruan të rreshtoheshin, ndërsa gratë dhe fëmijët u larguan nën kërcënimin e armëve. Më tej, sipas Prokurorisë, një pjesëtar i forcave policore serbe hapi zjarr me armë automatike, duke vrarë 34 civilë, shkruan RTK.
Ramadan Morina ishte arrestuar në Prishtinë në gusht të vitit të kaluar nën dyshimin për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.