
Aymen Hussein po jeton momentet më të mëdha të karrierës së tij futbollistike. Sulmuesi 30-vjeçar udhëhoqi Irakun drejt një arritjeje historike, duke siguruar kualifikimin e kombëtares në Kupën e Botës për herë të parë pas 40 vitesh.
Në Botërorin 2026, ai shkroi sërish emrin në historinë e futbollit irakian, duke u bërë vetëm lojtari i dytë i Irakut që shënon në një Kupë Bote. Goli i tij ndaj Norvegjisë në minutën e 39-të barazoi përkohësisht rezultatin, para se Erling Haaland të realizonte dy herë për skandinavët.
Megjithatë, para se të mbërrinte në skenën më të madhe të futbollit botëror, Hussein u përball me një situatë të pakëndshme në Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportimeve, ai u ndal për shtatë orë në aeroportin ndërkombëtar O’Hare të Çikagos, ku iu nënshtrua një kontrolli të detajuar nga autoritetet kufitare amerikane.
Gjatë procedurës, zyrtarët kontrolluan edhe fotografitë në telefonin e tij, përpara se t’i jepnin lejen për të hyrë në vend. Autoritetet amerikane deklaruan se bëhej fjalë për një “vlerësim individual në përputhje me ligjet e emigracionit dhe sigurisë, si dhe me çështjet e identifikuara gjatë inspektimit”.

Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale dhe media. Gazetari i njohur i The Guardian, Romain Molina, kritikoi mënyrën se si ishte trajtuar futbollisti irakian, duke e krahasuar procesin me marrjen në pyetje të një personi të dyshuar për terrorizëm.
“Ai iu nënshtrua një interviste shtatëorëshe sapo mbërriti në SHBA dhe u trajtua si një ‘terrorist i mundshëm’. Aymen Hussein është irakian dhe dukej sikur kjo mjaftonte për t’i mohuar të drejtat e tij”, shkroi Molina.
Historia bëhet edhe më prekëse kur merret parasysh e kaluara e futbollistit.
Al-Kaeda ia vrau babanë, ISIS-i ia rrëmbeu vëllanë – ai shënoi golin historik të Irakut në Kupën e Botës
Babai i tij, një ish-oficer ushtarak, u vra në vitin 2008 në një sulm terrorist të Al-Qaedas, ndërsa vëllai i tij u rrëmbye nga pjesëtarë të ISIS-it. Trupi i këtij të fundit nuk është gjetur kurrë.
Për këtë arsye, trajtimi që Hussein mori në hyrje të SHBA-së u konsiderua nga shumëkush si veçanërisht i padrejtë, duke pasur parasysh se familja e tij ka qenë vetë viktimë e terrorizmit.