Lushtaku përkujton Hilmi Haradinajn në 8-vjetorin e vdekjes: Ishte shembull i sakrificës dhe dashurisë për atdheun

20:15 | 17 Qershor 2026
lushtaku-perkujton-hilmi-haradinajn-ne-8-vjetorin-e-vdekjes:-ishte-shembull-i-sakrifices-dhe-dashurise-per-atdheun

Në 8-vjetorin e ndarjes nga jeta të Hilmi Haradinajt, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përkujtuar figurën e tij, duke e cilësuar si bashkëluftëtar dhe atdhetar të madh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushtaku ka shprehur respekt për veprën dhe kontributin e Hilmi Haradinajt gjatë periudhave më të vështira për Kosovën.

“Sot në 8-vjetorin e ndarjes nga jeta, kujtojmë me respekt të thellë bashkëluftëtarin dhe atdhetarin e madh të kombit, Bacën Hilmi Haradinaj”, ka shkruar Lushtaku.

Ai ka thënë se Hilmi Haradinaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet për lirinë e Kosovës, duke u bërë, sipas tij, shembull i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut.

“Baca Hilmi i dha gjithçka Kosovës në ditët më të rënda të saj, duke qëndruar i pathyeshëm në përballje me sfidat e kohës, për t’u bërë shembull i sakrificës dhe dashurisë për atdheun”, ka deklaruar Lushtaku.

Lushtaku ka përmendur edhe sakrificën e familjes Haradinaj, duke nderuar kontributin e djemve të Hilmi Haradinajt në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Në këtë ditë kujtese, nderojmë sakrificën e djemve të tij dhe të gjithë familjes Haradinaj, të cilët kontribuuan pa kursim në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar ai.

Lushtaku ka shprehur nderimin për jetën dhe veprën e Hilmi Haradinajt.

“Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Hilmi Haradinaj!”, ka shtuar Lushtaku.

Komento: