
Presidentët e SHBA-së dhe Iranit kanë nënshkruar një marrëveshje fillestare paqeje me synimin për t’i dhënë fund luftës, duke njoftuar që ajo të hyjë menjëherë në fuqi.
Marrëveshja përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një plan prej 300 miliardë dollarësh për “rindërtimin” e Iranit dhe ndërprerjen nga SHBA-ja të “të gjitha llojeve të sanksioneve” ndaj Iranit.
Por çështja e programit bërthamor të Iranit, arsyeja kryesore e deklaruar nga SHBA-ja për konfliktin, ende mbetet për t’u negociuar gjatë një periudhe 60-ditore që mund të zgjatet.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili e nënshkroi marrëveshjen në Francë gjatë samitit të G7-ës, e mbrojti propozimin duke thënë se ai do të shmangte një “katastrofë ekonomike”.
Megjithatë, ai paralajmëroi se SHBA-ja do ta “bombardonte pa mëshirë” Iranin nëse nuk arrihej një marrëveshje përfundimtare.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian gjithashtu e nënshkroi dokumentin të mërkurën, konfirmoi Teherani.
Kryetari i parlamentit iranian dhe negociatori kryesor, Mohammad Bagher Ghalibaf, i tha medias shtetërore se mosbesimi i tij ndaj SHBA-së mbetej dhe se Irani “e ka gishtin në këmbëz”.
“Nëse armiku nuk e kupton gjuhën e logjikës, ne do të hyjmë përsëri me gjuhën e forcës”, i tha ai transmetuesit shtetëror Fars.
Çfarë përmban marrëveshja SHBA-Iran që tashmë ka hyrë në fuqi
SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë që në ditën e parë.
Por që atëherë konflikti është përshkallëzuar, duke rritur çmimet e energjisë dhe duke rikthyer presionet inflacioniste, pasi Irani vendosi një mbyllje de facto të Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare kyçe tregtare përmes së cilës zakonisht kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngëzuar (LNG) në botë.
Trump u tha gazetarëve në Francë, në resortin buzë liqenit Evian-les-Bains, ku u mbajt samiti i G7-ës, se plani do të shmangte një “depresion mbarëbotëror”.
“Nuk doja të shihja një katastrofë ekonomike”, u tha Trump gazetarëve. “Nëse kjo do të vazhdonte, kjo mund të kishte ndodhur.
“Gjithçka që di është se sa herë që flisnim për mundësinë e paqes, tregu i aksioneve ngrihej si një raketë”, shtoi ai.
“Sa herë që thoshim diçka negative, si për shembull se nuk do të arrinim të bënim një marrëveshje, ai binte ndjeshëm.”
Momenti kur Trump nënshkruan marrëveshjen me Iranin në Pallatin e Versajës.
Çmimet e naftës ranë pasi u njoftua marrëveshja.
Teksti thotë se SHBA-ja dhe Irani do të “angazhohen për të negociuar dhe arritur marrëveshjen përfundimtare brenda maksimumit 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqimin e ndërsjellë”.
Marrëveshja thotë se “Irani rikonfirmon se nuk do të sigurojë apo zhvillojë armë bërthamore”, që ishte kushti numër një i Trumpit që nga fillimi i luftës.
Memorandumi gjithashtu thotë se uraniumi i pasuruar i Iranit do të “hollohet” në vend, nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së.
Fillimisht, SHBA-ja kishte kërkuar që materiali bërthamor të hiqej plotësisht nga vendi.
Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, sipas marrëveshjes nuk do të ketë tarifa për anijet që kalojnë nëpër këtë rrugë ujore strategjike për 60 ditë.
Megjithatë, memorandumi lë të hapur mundësinë e vendosjes së tarifave në të ardhmen. Para konfliktit nuk kishte tarifa të tilla.