
Shitës, punonjës në hotelieri, punëtorë të përgjithshëm, kamarierë, marangozë, programues, pastrues, nëpunës administrativë… Këto janë vetëm një pjesë e veprimtarive për të cilat gjatë kësaj periudhe ka shpallje aktive për punësim në faqen e Agjencisë për Punësim.
Përshtypja e parë është se këtë periudhë ka një kërkesë të madhe për kamarierë, por edhe për lloje të tjera të punëtorëve në sektorin e hotelierisë, si kuzhinierë, pastruese dhomash… duke qenë se ka shpallje të shumta nga kompani të ndryshme që kërkojnë kandidatë për këto pozicione.
Megjithatë, të dhënat e Agjencisë zbulojnë se gjatë periudhës së kaluar, nevoja më e madhe në treg ka qenë për shitës. Ndërkohë, për pozicionin e shitësit ka pasur 555 vende të lira pune. Kjo veprimtari edhe në analizën e fundit të Agjencisë ishte në krye të listës med më së shumti pozicione të lira pune në Maqedoni, ma atëherë kishte 701 vende të hapura.
Të dhënat tregojnë se ndër profesionet më të kërkuara në vendin tonë është edhe pastrues i hapësirave banesore dhe afariste, një profesion që për një kohë të gjatë ishte në vetë krye të listës, por tani gjendet në pozicionin e dytë me 544 vende të lira pune, ndërsa vetëm pak kohë më parë kishte 639 pozicione të hapura.
Në përditësimin e fundit, pozicioni i kamarierit ka shënuar rritje të dukshme.
Kjo ndodh me shumë mundësi për shkak të kërkesës sezonale për kamarierë, por edhe për shkak të largimit të shumë punëtorëve nga vendi për të punuar në disa nga destinacionet turistike në rajon dhe më gjerë. Sipas të dhënave të fundit, për profesionin e kamarierit ka 531 pozicione të hapura, ndërsa në rënditjen paraprake kishte 448 vende të lira pune.
Të dhënat tregojnë se për pozicionin punëtor i përgjithshëm ka 349 vende të lira pune, që është drastikisht më pak krahasuar me analizat e kaluara. Po ashtu, kërkohen gjithashtu 308 shoferë kamioni, 275 shankistë dhe 252 punonjës administrativë. Për profesionin e programuesit, i cili është një nga më të preferuarit mes të rinjve, ka vetëm 97 vende të lira pune.
Kur bëhet fjalë për vendet e lira të punës sipas veprimtarive, në krye ka dalë sektori i akomodimit dhe shërbimit të ushqimit me 1.648 vende të hapura pune. Pas tij pason tregtia me shumicë dhe pakicë, ku ka 1.577 pozicione të lira. Në vendin e tretë radhitet industria përpunuese, e cila njihet si “absorbuesi” më i madh i fuqisë punëtore, me 1.541 pozicione të hapura.
Më së lehti punë mund të gjendet në kryeqytet, pasi në Shkup ka më së shumti vende të lira pune, gjithsej 5.668. Pas tij radhitet Tetova me 518 vende të lira, Ohri me 511 pozicione, Strumica me 441 pozicione pune dhe në fund Manastiri me 368 vende të lira pune, përpara se të vijnë qytetet e tjera.