
“Nightjet” prezanton gjeneratën e re të trenave me kabina moderne, shtretër fiks dhe më shumë privatësi për udhëtarët
Udhëtimet me tren gjatë natës mes Cyrih dhe Vjenë kanë hyrë në një fazë të re, pasi gjenerata më e re e trenave Nightjet, të operuar nga ÖBB, ka përfunduar këtë javë udhëtimin e saj inaugurues në këtë linjë. transmeton albinfo.ch.
Trenat e rinj ofrojnë më shumë komoditet dhe një sërë shërbimesh të përmirësuara krahasuar me modelet e mëparshme. Mes risive përfshihen shtretër të fiksuar, mini-kabina për udhëtarët që udhëtojnë vetëm, si dhe kabina gjumi të pajisura me dush dhe tualet privat, duke garantuar më shumë privatësi dhe rehati gjatë udhëtimit.
Sipas operatorit hekurudhor austriak, modernizimi i flotës synon ta bëjë udhëtimin me tren të natës një alternativë edhe më tërheqëse ndaj fluturimeve të shkurtra dhe transportit rrugor.
ÖBB ka bërë të ditur gjithashtu se, duke filluar nga muaji dhjetor, trenat e rinj Nightjet do të qarkullojnë edhe në linjën ndërmjet Cyrih dhe Amsterdam, duke zgjeruar rrjetin e udhëtimeve moderne të natës në Evropë.