Gjendet i vdekur në qeli një i burgosur në Dubravë

16:46 | 18 Qershor 2026

Një i burgosur në Qendrën Korrektuese të Dubravës është gjetur i vdekur.

Kjo është bërë e ditur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve.

Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur sot në Pavijonin D, ku janë të vendosur personat me nevoja të veçanta.

“Menjëherë pas evidentimit të rastit, zyrtarët korrektues dhe personeli mjekësor kanë reaguar me urgjencë, duke ofruar ndihmën e parë dhe duke e transportuar të burgosurin për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit korrektues dhe personelit shëndetësor, i burgosuri nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent, ndërsa SHKK-ja dhe DSHB-ja kanë bërë të ditur se janë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Komento: