
Pas tre ditësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i djalit 8-vjeçar që ishte zhdukur në Kroaci.
Sipas policisë kroate, trupi i fëmijës u gjet pasditen e së enjtes në lumin Drava, rreth dy kilometra larg vendit ku ishte raportuar zhdukja e tij.
Me urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Varazhdin, në vendin e ngjarjes është janë kryer hetime.
Mjekja ligjore që ekzaminoi trupin konstatoi se nuk kishte shenja lëndimesh të shkaktuara gjatë kohës që fëmija ishte gjallë, shkruan Index.
Trupi është dërguar në Departamentin e Patologjisë të Spitalit të Përgjithshëm në Koprivnicë, ku do të kryhet autopsia për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Në operacionin e kërkimit morën pjesë për tri ditë me radhë të gjitha shërbimet emergjente, përfshirë Shërbimin Malor të Shpëtimit (HGSS), Kryqin e Kuq, zhytësit e policisë dhe zjarrfikësit.
Kërkimet u vështirësuan nga terreni i veçantë përgjatë lumit Drava, i cili ditët e fundit kishte dalë nga shtrati për shkak të reshjeve të shumta, duke ndryshuar strukturën e tokës dhe kushtet e kërkimit.