
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka “angazhuar” vendin e tij “për të arritur një armëpushim të plotë rajonal”, u tha gazetarëve në Zvicër zëvendëspresidenti JD Vance, duke shtuar se ai “ndihet shumë mirë” për “pozicionin ku ndodhemi në Liban”.
SHBA-ja ka bërë “më shumë për të ta ndalur konfliktin në Liban se çdo qeveri tjetër kudo në botë gjatë muajve të fundit”, tha Vance, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me luftimet e Izraelit në Liban.
“Paqja nuk është kurrë e lehtë. Paqja kërkon gjithmonë pak punë. Gjithmonë kërkon pak lëshime nga të dyja palët”, shtoi ai.
“Por Presidenti i Shteteve të Bashkuara është i përkushtuar jo vetëm ndaj paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit – presidenti është i përkushtuar ndaj një paqeje rajonale, dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu duke punuar kaq fort për t’i zgjidhur çështjet tona”.
Vance pranoi se “ndonjëherë do të ketë mosmarrëveshje për mënyrën e saktë se si arrihet (paqja rajonale)”, por tha se “sinqerisht ndihem shumë mirë për pozicionin ku ndodhemi në Liban. Ka ende pak punë për t’u bërë, por ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë”.
Zëvendëspresidenti tha gjithashtu se bisedimet e sotme në Zvicër janë fillimi i negociatave teknike, duke theksuar se ato nuk do të sjellin një zgjidhje të menjëhershme.
Takimi i sotëm “nuk do të zgjidhë çdo mosmarrëveshje, por do të na lejojë të ulemi së bashku si ekipe për herë të parë, në fakt në histori, për të kuptuar se çfarë ka më shumë rëndësi për secilën palë, për t’i trajtuar ato çështje, për t’i zgjidhur ato dhe për të arritur një të nesërme më të mirë” tha ai.