
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave lidhur me procesin zgjedhor para se t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se shpallja e rezultateve varet nga përmbyllja e procedurave ankimore dhe vendimet që do të nxirren nga institucionet përkatëse.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në”, ka deklaruar Elezi.
Dy ankesa lidhur me procesin e rinumërimit janë deponuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e afati 48 orësh për ankesa ka përfunduar të dielën në mesditë.
Tash, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka afat tri ditë për të marrë vendim lidhur me to.
Të dyja ankesat janë paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës. Njëra është dorëzuar të premten, ndërsa tjetra të shtunën./R