Zhvillimet në LDK: Tri degë kërkuan largimin e Abdixhikut – krejt çka ndodhi dje

07:35 | 24 Qershor 2026
zhvillimet-ne-ldk:-tri-dege-kerkuan-largimin-e-abdixhikut-–-krejt-cka-ndodhi-dje

Pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku LDK-ja u rendit e treta me 16.69 për qind të votave, tri degë të saj — Peja, Lipjani dhe Dega e Dytë në Prishtinë — kërkuan dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Ato vlerësuan se përgjegjësia për rezultatin e dobët duhet të merret nga udhëheqja qendrore e partisë dhe se nevojiten ndryshime të thella politike e organizative.

Abdixhiku iu kundërpërgjigj degëve të Pejës dhe Lipjanit, duke kërkuar dorëheqjen morale të Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit. Ai tha se LDK-ja ka pasur performancën më të dobët pikërisht në komunat që udhëhiqen nga këto degë dhe i cilësoi kërkesat ndaj tij si të koordinuara. Abdixhiku theksoi se çështjen e votëbesimit e kishte trajtuar në Kuvendin e LDK-së më 31 janar.

Nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili bëri thirrje për unitet, duke thënë se rezultati kërkon reflektim, por jo përçarje publike. Ajo theksoi se debati duhet të zhvillohet brenda strukturave të partisë dhe se përgjegjësia për rezultatin nuk mund të mbetet vetëm te një person.

Edhe Lutfi Haziri i trajtoi përplasjet si normale për një parti demokratike. Ai tha se kërkesa e degëve dhe përgjigjja e Abdixhikut do të shqyrtohen në organet e LDK-së, duke theksuar se qëllimi kryesor duhet të jetë rikthimi i LDK-së si parti e parë në vend.

Ndërkohë, ish-deputeti Besian Mustafa reagoi me një mesazh emocional, duke kujtuar periudhat e vështira të LDK-së dhe duke bërë thirrje për durim, qëndrueshmëri dhe ruajtje të partisë nga ndarjet e reja.

Në mbështetje të Abdixhikut është rreshtuar edhe kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi. Ai tha se rezultatet e dobëta në disa degë nuk mund të maskohen me kërkesa publike për dorëheqjen e kryetarit.

Azemi vlerësoi se secila degë duhet të japë llogari para anëtarësisë së saj për rezultatin në terren dhe i dha mbështetje të plotë Abdixhikut, si dhe procesit të “bashkimit të madh” të LDK-së. Sipas tij, konfliktet e brendshme dhe agjendat personale e dëmtojnë partinë në kohën kur qytetarët presin një alternativë serioze.

Edhe kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, i doli në krah Abdixhikut. Ai tha se nuk mund të kërkohet përgjegjësi vetëm nga niveli qendror, pa u kërkuar llogari strukturave që kanë menaxhuar degët dhe terrenin lokal.

Ferati paralajmëroi se krijimi i praktikës për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit pas çdo procesi zgjedhor do ta dobësonte LDK-në dhe do ta minonte stabilitetin e saj politik.

Ai kërkoi që përgjegjësia të jetë e barabartë për të gjithë dhe që debatet të zhvillohen në organet e partisë, jo përmes deklaratave publike që nxisin ndarje.

Komento: