Izraeli po vazhdon të kryejë gjenocid kundër palestinezëve, duke shënjestruar fëmijët -konstaton komisioni i OKB-së

16:20 | 24 Qershor 2026
izraeli-po-vazhdon-te-kryeje-gjenocid-kunder-palestinezeve,-duke-shenjestruar-femijet-konstaton-komisioni-i-okb-se

Forcat izraelite vazhdojnë të kryejnë gjenocid kundër palestinezëve duke shënjestruar qëllimisht fëmijët në Rripin e Gazës, ka konstatuar një Komision i pavarur Hetimor i Kombeve të Bashkuara.

Në një raport të publikuar të martën, komisioni — i cili vitin e kaluar kishte arritur në përfundimin se Izraeli kishte kryer gjenocid në Gaza — gjeti se operacionet ushtarake izraelite kanë vazhduar të shkaktojnë “vdekje, lëndime dhe trauma të paprecedenta” te fëmijët palestinezë, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

Komisioni e përshkruan atë që ai e konsideron si shënjestrim të qëllimshëm të fëmijëve si një tregues kyç të qëllimit gjenocidal të autoriteteve izraelite për të shkatërruar popullin palestinez, përfshirë edhe periudhën pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gaza.

“Edhe pas armëpushimit të tetorit 2025, fëmijët vazhdojnë të vriten dhe të plagosen rëndë, ndërsa Izraeli vazhdon të tregojë shpërfillje ndaj armëpushimit dhe ndaj mbrojtjes që u takon fëmijëve palestinezë sipas së drejtës ndërkombëtare,” tha Srinivasan Muralidhar, kryetar i komisionit.

Qeveria izraelite ka mohuar vazhdimisht akuzat për kryerje të gjenocidit dhe zyrtarët reaguan menjëherë duke kundërshtuar gjetjet e OKB-së të publikuara të martën.

Ministria e Jashtme e cilësoi raportin si “një pjesë propagande po aq të turpshme sa edhe raportet e mëparshme”, ndërsa Danny Danon, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, e quajti atë “një shpifje politike e maskuar si dokument i OKB-së”.

“Në vend që të trajtojë krimet e Hamasit, masakrën e 7 tetorit, pengjet dhe përdorimin cinik të fëmijëve dhe civilëve si mburoja njerëzore nga Hamasi, komisioni ka zgjedhur edhe një herë ta vendosë Izraelin në bankën e të akuzuarve,” tha Danon.

Raporti përshkruan kushtet që Izraeli ka imponuar në Gaza që nga armëpushimi — sulme të përhapura dhe bllokimin e ndihmës humanitare dhe mjekësore — të cilat, sipas raportit, kanë shkaktuar “dëme shumëdimensionale për mbijetesën, shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve palestinezë”.

Raporti dokumenton atë që ai e përshkruan si një model sistematik të sulmeve izraelite ndaj spitaleve, klinikave shëndetësore dhe objekteve të shëndetit riprodhues, me pasoja shkatërruese afatshkurtra dhe afatgjata për mirëqenien fizike dhe psikologjike të fëmijëve

Komento: