Dita e 27-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë

21:15 | 26 Qershor 2026
dita-e-27-te-e-protestes-ne-tirane,-aktivistet-dhe-qytetaret-nisin-marshimin-drejt-kryeministrise

Ka nisur marshimi i qytetarëve nga sheshi “Skënderbej” drej Kryeministrisë edhe këtë të premte kur regjistrohet dita e 27-të e protestës.

Grumbullimi i qytetarëve nisi në orën 19:00 dhe pas pak minutash ata u nisën drejt Kryeministrisë.

Ata shihen me pankarta dhe flamuj në duar teksa vijonë thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Me mbledhjen e tyre në këtë ditë të 27-të të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, qytetarët kanë parashtruar sërish kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Një nga pjesmarrëset në këtë tubim, ka mbajtur fjalën në podium duke listuar pesë kërkesat.

Kërkesa e parë është dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë.

Së dyti, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

Kërkesa e tretë lidhet me ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor. Në këto ndryshime përfshihen ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi, raporton euronews.al

Paralelisht, organizatorët kërkojnë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për Zonat e Mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për Investimet Strategjike.

Kërkesa e pestë parashikon hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas organizatorëve do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

Komento: