
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se gjysma e aseteve të ngrira të Iranit, të mbajtura në Katar, do t’i kthehen Teheranit, shkruan CNN.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim, Pezeshkian e bëri këtë njoftim gjatë takimeve me klerikë të lartë iranianë në qytetin e Qomit.
“Në bazë të planeve të hartuara, 6 miliardë dollarë nga gjithsej 12 miliardë dollarët e burimeve të Iranit në Katar do t’i kthehen vendit, ndërsa po vazhdojnë edhe procedurat e nevojshme për kthimin e pjesës së mbetur të këtyre fondeve”, citohet të ketë thënë Pezeshkian.
CNN ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për një koment lidhur me këtë pretendim.
Memorandumi i dakorduar më herët këtë muaj mes SHBA-së dhe Iranit parashikonte që Uashingtoni “merr përsipër të vërë plotësisht në dispozicion për përdorim fondet dhe asetet e ngrira ose të kufizuara të Republikës Islamike të Iranit, pas zbatimit” të marrëveshjes.
Irani ka këmbëngulur prej kohësh gjatë negociatave se kthimi i aseteve të ngrira në bankat jashtë vendit duhet të jetë pjesë e procesit pas nënshkrimit të memorandumit.