Si ndodhi tragjedia me 6 të vrarë në Gjermani? Autori me prejardhje turke, kishte shkuar për vizitë te foshnja tre muajshe

17:15 | 30 Qershor 2026
si-ndodhi-tragjedia-me-6-te-vrare-ne-gjermani?-autori-me-prejardhje-turke,-kishte-shkuar-per-vizite-te-foshnja-tre-muajshe

Krimi i rëndë në shtëpinë për nëna dhe fëmijë në qytetin gjerman Stade nuk ishte akt terrorizmi, por një përplasje e përgjakshme lidhur me një mosmarrëveshje për kujdestarinë. Bilanci është gjashtë të vdekur, ndërsa autori i dyshuar ndodhet në paraburgim.

Pasi gjashtë persona u vranë në qytetin gjerman Stade, autoritetet kompetente vazhdojnë punën për identifikimin e viktimave. Mes të vrarëve janë katër gra dhe dy burra, njoftoi zëdhënësja e policisë. Për krimin dyshohet një burrë 45-vjeçar, i cili sipas hetimeve të hënën (29.6.) qëlloi me armë ndaj disa personave në këtë qytet në perëndim të Hamburgut. Sulmi ndodhi në një shtëpi për nëna dhe fëmijë. Qytetarët po lënë lule dhe po ndezin qirinj para ndërtesës në shenjë kujtimi për viktimat.

Ndryshe nga informacionet fillestare, nuk ka persona të tjerë të lënduar, theksoi zëdhënësja e policisë. Policët gjetën katër trupa në institucionin, përkatësisht në komunitetin e banimit për nëna dhe fëmijë. Një person tjetër u përpoq të reanimohej, por pa sukses, ndërsa viktima e gjashtë vdiq në spital si pasojë e plagëve. Siç u sqarua, pikërisht këta dy persona më herët ishin raportuar si të lënduar. Megjithatë, supozohet se një numër i madh njerëzish që ishin dëshmitarë të ngjarjes kanë pësuar traumë të rëndë psikologjike, shkruan Deutsche Welle.

Pak informacione për shkak të mbrojtjes së të miturve

Sipas të dhënave të deritanishme të policisë, krimit me shumë gjasa i ka paraprirë një mosmarrëveshje për kujdestarinë e një fëmije. I dyshuari atë ditë kishte një takim të caktuar në institucion lidhur me kujdestarinë e vajzës së tij tre muajshe, ndërsa mes të pranishmëve ishin edhe personat që më vonë u vranë.

Policia bën të ditur se të gjithë personat e vrarë ishin të punësuar në institucionin për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Mes viktimave nuk janë nëna e fëmijës, një grua 34-vjeçare, dhe as foshnja tre muajshe.

Një nga pyetjet kryesore tani është se cila do të jetë e ardhmja ligjore e të dyshuarit, i cili u arrestua menjëherë pas sulmit. Kryeprokurori i shtetit në Stade, Burkhard Fonahme, deklaroi të hënën në mbrëmje se ende nuk është marrë vendim për caktimin e mundshëm të paraburgimit.

Sipas tij, hapat e mëtejshëm do të varen nga rezultatet e hetimeve. Sipas informacioneve të autoriteteve, i dyshuari ka lindur në Gjermani dhe është me prejardhje turke.

Ende nuk ka detaje për armën

Hetimet duhet të sqarojnë edhe se me çfarë arme është kryer krimi, si dhe se si i dyshuari ka arritur ta sigurojë atë. Policia për momentin, për arsye hetimore, nuk është zbuluar se për çfarë lloj arme bëhet fjalë.

Sipas të dhënave të disponueshme, i dyshuari nuk kishte leje për armë.

As rrjedha e saktë e ngjarjes në institucionin për kujdesin ndaj fëmijëve dhe të rinjve ende nuk është bërë publike. Hetuesit theksojnë se puna për mbledhjen dhe analizimin e provave është e ndërlikuar dhe voluminoze.

Ndërkohë, policia ka ndaluar edhe një grua 65-vjeçare, e cila drejtonte automjetin me të cilin i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes. Sipas të dhënave të deritanishme, ajo është e lidhur ngushtë me familjen e tij dhe thuhet se vjen nga zona e Hanoverit.

I dyshuari ka qenë i njohur më herët për policinë, por, siç deklaroi drejtoresha e policisë në Luneburg, Katharin Schuol, “deri më tani nuk konsiderohej si person veçanërisht i dhunshëm”.

Reaguan edhe politikanët

Ministrja e Punëve të Brendshme e Saksonisë së Poshtme, Daniela Behrens (SPD), deklaroi po atë mbrëmje se bëhet fjalë për një rast të izoluar, i cili nuk lidhet me ngjarjet e tjera të fundit.

Ngushëllime familjeve të viktimave u shprehu edhe kancelari gjerman Friedrich Merz.

“Lajmi nga Stade të trondit deri në palcë”, shkroi lideri i CDU-së në rrjetin social X.

Komento: