
Një aventurier i njohur për ngjitjet në rrokaqiej u tha policëve se ai dhe e dashura e tij u ngjitën në antenën e Empire State Building në Nju Jork dhe shpalosën një pankartë me mesazh për dashurinë dhe paqen, sepse donte të bënte “diçka të veçantë” për fejesën e tyre.
Këtë e bënë të ditur prokurorët të enjten, gjatë paraqitjes së çiftit në gjykatë, ku ata u përballën me akuza për rrezikim të rëndë të jetës, hyrje të paligjshme në objekt dhe vepra të tjera penale, shkruan Euronews.
Çifti, i njohur si Angela Nikolau dhe Ivan Beerkus, foli shumë pak pasi doli nga gjykata. Megjithatë, Beerkus iu përgjigj një pyetjeje të një gazetari lidhur me këtë veprim, duke thënë shkurt “Ne besojmë te dashuria”.
Sipas autoriteteve, dyshja, protagoniste e dokumentarit të Netflix-it të vitit 2024, “Skywalkers: A Love Story”, i cili trajton ngjitjet e tyre në maja rrokaqiejsh dhe historinë e dashurisë mes tyre, jo vetëm që krijoi një spektakël të pazakontë, por edhe vuri në rrezik sigurinë publike, duke u ngjitur të mërkurën në antenën transmetuese të rrokaqiellit të famshëm.
Pasi arritën në majë, në një lartësi prej 443 metrash mbi zonën qendrore të Manhatanit, ata shpalosën një pankartë të zezë me mbishkrimin: “Kur fuqia e dashurisë ta mposhtë dashurinë për pushtet, bota do ta njohë paqen”.