Përplasje e fortë pas deklaratave në Politiko: Koci sfidon Elshanin me dokumente

15:10 | 03 Korrik 2026
perplasje-e-forte-pas-deklaratave-ne-politiko:-koci-sfidon-elshanin-me-dokumente

Deklarata e mbrëmshme e ish-deputetit dhe ish-luftëtarit të UÇK-së, Gani Koci në televizionin Kanal 10, ka nxitur një përplasje publike me këshilltarin politik të ministrit të Shëndetësisë, Durim Elshani.

Në  ‘Politiko’, Koci deklaroi se po përballet me sëmundje të rëndë dhe se deri tani nuk ka marrë mbështetje të mjaftueshme nga Qeveria e Kosovës apo nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor për trajtimin e tij mjekësor.

Pas këtyre deklarimeve, Durim Elshani reagoi  duke thënë se pretendimet e Kocit nuk qëndrojnë dhe se institucionet shëndetësore e kanë trajtuar rastin e tij sipas procedurave dhe vendimeve zyrtare në fuqi.

Në një reagim të gjatë publik, Gani Koci ka kundërshtuar deklaratat e Elshanit, duke theksuar se gjithë procesi i tij mjekësor është i dokumentuar me raporte mjekësore, vendime të komisioneve, fatura dhe korrespondencë institucionale.

Ai sqaroi se pas trajtimit me imunoterapi, mjeku i tij onkolog ka rekomanduar vazhdimin e trajtimit jashtë vendit, ndërsa Komisioni i Radiologjisë ka propozuar procedurën TACE, e cila më pas është miratuar për trajtim në Kroaci nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor në vlerë prej 8.808,52 euro.

Sipas Kocit, gjatë qëndrimit në Zagreb ai ka kryer ekzaminime PET/MRI në vlerë prej 3.050 euro, të cilat i ka paguar vetë, ndërsa më pas mjekët specialistë kanë vlerësuar se procedura TACE nuk ishte më trajtimi i duhur dhe kanë rekomanduar radiokirurgji të personalizuar me anestezion.

Ai shtoi se ka kërkuar rimbursim të shpenzimeve dhe ka dorëzuar kërkesë të re për miratim të trajtimit të rekomanduar, por ende nuk ka marrë përgjigje nga institucionet.

“z. Elshani është mirë të ishe konsultuar edhe me ish sekretarin e ministris z. Bardiqi per rastin tim lidhur me diskriminimin ne terapi!”, shkroi tutje ai.

Mes tjerash ai ka publikuar edhe disa dokumente, që sipas tij dëshmojnë të vërtetën e deklaratës së tij:

Komento: