
Gjykata e Lartë në Serbi ia ka caktuar 30 ditë paraburgim shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, i arrestuar më 1 korrik nga policia e Serbisë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se Selmani u arrestua në pikëkalimin kufitar në Mutivodë, nën dyshime për krime lufte.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14.06.1999, në vendin Sofali, Prishtinë, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve të nacionalitetit serb, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”, thuhet në njoftimin e MPB-së të Serbisë.
Familja e Osman Selmanit i ka cilësuar si të pabazuara dhe të pavërteta akuzat e Prokurorisë së Serbisë.
“Ne besojmë në pafajësinë e tij dhe do të qëndrojmë pranë tij deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kemi besim se drejtësia do të mbizotërojë dhe e vërteta do të dalë në pah. Ju falënderojmë nga zemra për çdo mbështetje, lutje dhe fjalë inkurajuese në këto momente të vështira për familjen tonë”, thuhet në njoftimin e familjarëve të tij.