
Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins shkroi për vizitën e tij të fundit në Kosovë, ndërsa tha se kosovarët ishin më të interesuar ta dëgjonin vlerësimin e tij për Kosovën sesa për zhvillimet në Amerikë.
Ai vlerëson se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund të preferojë ta çojë Kosovën në zgjedhje të katërta, nëse nuk arrihet një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve të reja.
“Vendit iu desh të mbante tri zgjedhje në më pak se 16 muaj. Ai ende nuk ka një president të ri apo një qeveri me kompetenca të plota.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti – në pushtet që nga viti 2020 – ka mjaftueshëm ulëse, së bashku me përfaqësuesit e pakicave, për të siguruar shumicën e nevojshme në Kuvend.
Por për zgjedhjen e presidentit nevojiten dy të tretat e votave. Opozita e fragmentuar nuk është e gatshme t’i mbështesë kandidatët e propozuar nga Kurti.
Nuk është e qartë nëse opozita mund të bjerë dakord për një kandidat të sajin. Po ashtu, nuk dihet nëse kryeministri do ta mbështeste një kandidat të opozitës nëse kjo do të ndodhte. Ai mund të preferojë ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta”, shkroi ai në web-faqen e tij.
Kjo, thotë Serwer, “do të rrezikonte zemërimin e elektoratit”.“Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit ishte më e ulët, ashtu si edhe mbështetja për Kurtin. Popullsia dëshiron që politikanët të vazhdojnë me kryerjen e punës së tyre.
Polarizimi po e bën këtë të vështirë”, shkruan ai.Serwer thotë se “opozita druhet se Kurti dëshiron ta ndryshojë Kushtetutën, e cila përfshin të drejta të pakicave që atij nuk i pëlqejnë”.
“Ajo gjithashtu mendon se ai ka vepruar në mënyrë arrogante dhe madje antiamerikane ose autoritare në trajtimin e disa çështjeve. Kjo e bën kompromisin të vështirë”, shkruan Serwer.