Gjermania korrigjon gabimin për Aeroportin e Prishtinës, nuk figuron më si pjesë e Serbisë

15:15 | 07 Korrik 2026
gjermania-korrigjon-gabimin-per-aeroportin-e-prishtines,-nuk-figuron-me-si-pjese-e-serbise

Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë (Luftfahrt-Bundesamt) ka korrigjuar një pasaktësi në të dhënat e tij lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i cili, sipas Ambasadës së Kosovës në Gjermani, prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti i cili ka thënë se korrigjimi erdhi pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik.

“Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, Autoriteti Federal i Aviacionit Civil të Gjermanisë (Luftfahrt-Bundesamt) ka korrigjuar pasaktësinë lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, i cili prej vitesh ishte evidentuar gabimisht si pjesë e Serbisë,” ka shkruar Ajeti.

Ai e ka cilësuar këtë si një shembull se bashkëpunimi mes qytetarëve dhe diplomacisë mund të sjellë rezultate konkrete.

“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete,” ka theksuar ai.

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka ftuar qytetarët që të raportojnë çdo rast ku institucionet apo kompanitë gjermane nuk e paraqesin saktë Republikën e Kosovës apo qytetet e saj, duke kërkuar që bashkë me kërkesat të dërgohen edhe dëshmi përkatëse për verifikim dhe korrigjim.

Sipas Ambasadës, angazhimi për adresimin e pasaktësive të tilla do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Komento: