
Policia e Kosovës ka njoftuar se një shtetas kosovar, i kërkuar përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Hungaria në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është realizuar më 7 korrik 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet hungareze, pasi ndaj tij ishte lëshuar kërkesë ndërkombëtare nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “armëmbajtje pa leje dhe fshehje e provave”. Ai dyshohet se i ishte shmangur drejtësisë para arrestimit.
Ekstradimi është bërë në bazë të ligjeve në fuqi dhe si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Hungarisë. Pas kthimit në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse policore për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit dhe hetimit të veprave penale, si dhe kapjes së personave të dyshuar për aktivitete kriminale brenda dhe jashtë vendit.