Zyrat e kryeprokurorit dhe auditimit forcojnë bashkëpunimin

21:00 | 08 Korrik 2026
zyrat-e-kryeprokurorit-dhe-auditimit-forcojne-bashkepunimin

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), mbajti të mërkurën në Ferizaj punëtorinë rajonale me temën: “Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale të identifikuara gjatë auditimit”.

Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësues të Zyrës Kombëtare të Auditimit, prokurorë nga rajonet e Ferizajt dhe Gjilanit, si dhe përfaqësues të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Prokurori i Shtetit, njëherësh koordinator për rastet që lidhen me auditimin, Bahri Hyseni, vlerësoi se organizimi i këtyre punëtorive është rezultat i bashkëpunimit të mirë ndërinstitucional ndërmjet Prokurorisë së Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Ai theksoi se punëtori të tilla do të vazhdojnë të organizohen edhe në rajonet e tjera të Kosovës, me qëllim të forcimit të koordinimit ndërinstitucional, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe rritjes së efektivitetit në trajtimin e rasteve të referuara.

Sipas prokurorit Hyseni, bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet Prokurorisë së Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit mundëson identifikimin dhe trajtimin më efikas të rasteve në të cilat, gjatë procesit të auditimit, evidentohen dyshime për kryerjen e veprave penale.

Komento: