
Reth 20 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një nga pikat e rrjetit të lokaleve “Sach Pizza” në Prishtinë.
Pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe që nga e premtja po marrin trajtim në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Nga Klinika Infektive kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se 16 persona janë të hospitalizuar, ndërsa edhe tre të tjerë kanë pranuar trajtim të dielën.
“Të hospitalizuar janë 16 pacientë që nga e premtja, dhe tre të tjerë kanë ardhur këtë të diel”, ka deklaruar Izet Sadiku, shef i ndërrimit në Klinikën Infektive.
Ai ka tutje ka thënë se mjekët janë duke pritur rezultatet e analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të helmimit dhe për të kuptuar nëse gjendja e pacientëve është shkaktuar nga ushqimi i konsumuar.
I pyetur si është gjendja shëndetësore e pacientëve, Sadiku ka thënë se gjendja aktuale është e mirë dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësorë.
Edhe nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se të enjten kanë marrë informatë se disa persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi.
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se më 10.07.2026, Policia ka pranuar një informatë lidhur me dyshimin për helmim nga ushqimi të disa personave. Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse”, kanë thënë nga Policia për Reporteri.net.
Gazeta ka pyetur edhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.
Reporteri.net poashtu ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga përfaqësuesit e ‘Sach Pizza’, duke telefonuar në numrin e tyre zyrtar, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.