Vrasja e ish-ministres britanike Anne Whittaker, autoritetet: E qartë që ishte një sulm i qëllimshëm, vijojnë hetimet për motivin

23:25 | 14 Korrik 2026
vrasja-e-ish-ministres-britanike-anne-whittaker,-autoritetet:-e-qarte-qe-ishte-nje-sulm-i-qellimshem,-vijojne-hetimet-per-motivin

Ish-ministrja e qeverisë britanike, Anne Whittaker, e cila u gjet e vrarë në shtëpinë e saj javën e kaluar, ka qenë objektiv i një “sulmi të qëllimshëm”, ka deklaruar sot Policia Kundër Terrorizmit në Britani.

Drejtuesi i njësisë kundër terrorizmit, Lawrence Taylor, tha për gazetarët se hetuesit po përpiqen ende të zbardhin nivelin e përgatitjes së sulmit dhe motivin e autorëve.

“Është e qartë se bëhej fjalë për një sulm të planifikuar. Ne po punojmë ende për të kuptuar shkallën e organizimit apo përgatitjes dhe motivin që qëndron pas këtij sulmi”, u shpreh Taylor.

Policia lokale arrestoi të shtunën në mbrëmje vonë një shtetas britanik, nën dyshimin se kishte lidhje me vrasjen. Pasi hetimet iu transferuan njësisë kundër terrorizmit të hënën, i dyshuari u arrestua sërish, këtë herë nën akuzën e dyshimit për përgatitje dhe nxitje të akteve terroriste.

Whittaker, 78 vjeçe, ishte një figurë e njohur e partisë populiste të djathtë Reform UK, të drejtuar nga Nigel Farage. Ajo u gjet e pajetë të enjten e kaluar në banesën e saj, në një zonë rurale në jugperëndim të Anglisë. Policia bëri të ditur se ish-ministrja kishte pësuar “plagë të rënda”.

Whittaker kishte qenë deputete në Parlamentin britanik deri në vitin 2010.

Rasti ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë e politikanëve në Britani, pasi gjatë dekadës së fundit dy deputetë në detyrë janë vrarë në vend. /Panorama

Komento: