Pikëpyetje për votat e LDK-së për presidentin, dyshime në unitetin e deputetëve

11:05 | 15 Korrik 2026
pikepyetje-per-votat-e-ldk-se-per-presidentin,-dyshime-ne-unitetin-e-deputeteve

Zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po shihen si një faktor që mund të ndikojë në procesin e krijimit të institucioneve të reja, veçanërisht në zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Pavarësisht takimit mbi dy orësh ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, mbetet e hapur çështja nëse Abdixhiku do t’i ketë pas vetes të gjithë 18 deputetët e grupit parlamentar të kësaj partie në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Ndërkohë, brenda LDK-së është diskutuar mundësia e thirrjes së një Kuvendi të jashtëzakonshëm për votëbesim ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, zhvillim që ka shtuar debatet për gjendjen e brendshme të kësaj partie.

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se zhvillimet brenda LDK-së mund të ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke ngritur pikëpyetje për unitetin e deputetëve të kësaj partie.

Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se deputetët e LDK-së nuk janë plotësisht homogjenë sa i përket qëndrimeve për krijimin e institucioneve.

Nga ana tjetër, në LDK insistojnë se nuk ka ndarje në qëndrime dhe se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, përfaqëson qëndrimin e përbashkët të deputetëve.

Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, ka thënë se vendimet politike për diskutimet me LVV-në janë përcaktuar në organet e partisë para takimit me Kurtin.

Ndërkohë, analisti politik Blerim Canaj vlerëson se, pavarësisht qëndrimit zyrtar të LDK-së, kryetari i kësaj partie nuk i ka të sigurta të gjitha votat e grupit parlamentar për një proces të rëndësishëm siç është zgjedhja e presidentit.

Sipas tij, në një marrëveshje të mundshme ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, mbështetja nga deputetët e LDK-së mund të jetë më e kufizuar.

Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, më 10 korrik është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abidixhiku për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja.

Ani pse nuk pati ndonjë marrëveshje sipas Kurtit takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Këto takime erdhën pasi KQZ-së certifikoi rezultatin e zgjedhjeve më 8 korrik. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend.

E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse.

Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse./kp

Komento: