LDK: Nënshkrimet ende nuk janë verifikuar, takimi i sotëm ishte rutinor

14:20 | 16 Korrik 2026
ldk:-nenshkrimet-ende-nuk-jane-verifikuar,-takimi-i-sotem-ishte-rutinor

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sokol Haliti, ka deklaruar se prioritet i partisë mbetet formimi i institucioneve të reja, duke theksuar se të gjitha proceset e brendshme do të zhvillohen në përputhje me statutin dhe procedurat e LDK-së.

Pas takimit të mbajtur të enjten, Haliti tha se LDK respekton afatet, rregullat dhe statutin e saj, ndërsa e cilësoi kapërcimin e ngërçit politik dhe krijimin e institucioneve si interes shtetëror.

“LDK-ja respekton afatet, procedurat, rregullat, statutin natyrisht. Interes shtetëror është formimi i institucioneve shtetërore, dhe kapërcimi i këtij ngërçi. Por tash edhe aspektet e tjera partiake e kanë fushëveprimin e vet. Është demokraci, prandaj respektohen rregullat, statuti. Prandaj afatet, mënyra, kushtet, krejt zgjidhjet, krijohen gjithashtu”, tha ai.
Haliti shtoi se nuk janë verifikuar ende nënshkrimet, derisa tha se takimi i sotëm nuk ishte takim i kryesisë së partisë por takim rutinor.

Ai është pyetur edhe për raportimet që ishin për një marrëveshje LDK-VV, për formimin e institucioneve.

“Do të thotë nuk jam duke shprehur mendimin e kryesisë. Institucionet shtetërore dhe zgjedhja e presidentit është e patjetërsueshme. Vendi duhet me i dhënë institucioneve, edhe duhet me i dhënë stabilitet institucional, shtet funksional. Mos-implementimi i buxhetit është rrezikim i funksionimit vital të shtetit. Prandaj duhet me pasë institucione të qëndrueshme që e implementojnë buxhetin, dhe plan-programin. E besoj tash që partnerët e tjerë kanë me u kriju, e krijon LDK-ja, e krijon dikush tjetër, është temë tjetër. Kjo është ligjore, legjitime dhe është temë e negociatave, e rezultateve të negociatave e të tjera”, tha ai.

Komento: