Kos: S’mund ta imagjinoj që ministrja serbe të vazhdojë detyrën pas deklaratës së tmerrshme

17:30 | 16 Korrik 2026
kos:-s’mund-ta-imagjinoj-qe-ministrja-serbe-te-vazhdoje-detyren-pas-deklarates-se-tmerrshme

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cilësoi sot si “të tmerrshme” deklaratën e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, për spastrimin etnik të Kosovës, duke thënë se nuk mund ta imagjinojë që ajo të vazhdojë të ushtrojë funksionin e ministres pas një deklarate të tillë publike.

“Ishte e tmerrshme të dëgjohej diçka e tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris atë që tha. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre të vazhdojë ta kryejë detyrën e saj pas një deklarate të tillë publike”, tha Marta Kos, duke iu përgjigjur pyetjeve të eurodeputetëve gjatë diskutimit në Komisionin e Parlamentit Evropian për Mburojën Demokratike Evropiane (EUDS), raporton gazeta serbe “Danas“.

Ajo vlerësoi se retorika politike ndikon drejtpërdrejt në mbështetjen për integrimin evropian dhe kritikoi narrativat anti-BE që, sipas saj, prej vitesh promovohen në opinionin publik.

“Është e papranueshme që një vend kandidat të përdorë retorikë anti-evropiane. Bashkimi Evropian është akuzuar prej vitesh se organizon protesta dhe ndërhyn në çështjet e brendshme të Serbisë, por kjo thjesht nuk është e vërtetë”, deklaroi ajo.

Kos theksoi veçanërisht rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke bërë të ditur se me autoritetet serbe është rënë dakord për një rritje graduale të nivelit të harmonizimit.

“Presim që Serbia të dërgojë një sinjal të qartë se në cilën anë të historisë dëshiron të jetë”, tha Marta Kos.

Ajo paralajmëroi se Bashkimi Evropian nuk mund t’i lejojë vetes të ketë një “kalë troje” mes vendeve të ardhshme anëtare dhe njoftoi se Komisioni Evropian, në fund të shtatorit, do të paraqesë një propozim për mekanizma të rinj mbrojtës në marrëveshjet e anëtarësimit.

Sipas saj, marrëveshja e anëtarësimit të Malit të Zi duhet të shërbejë si model për të gjitha marrëveshjet e ardhshme të pranimit në BE./KK

Komento: