
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka ngritur shqetësimin për rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar nga institucionet e vendit që të veprojnë me përgjegjësi, koordinim dhe maturi në raport me partnerët ndërkombëtarë.
AKB-ja vlerëson se çdo sfidë në raportet me aleatët kryesorë të Kosovës mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në aspektin diplomatik dhe politik, por edhe në zhvillimin ekonomik, klimën e investimeve dhe sigurinë afatgjatë të vendit.
Në reagimin e saj, AKB thekson se Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol vendimtar në historinë e Kosovës dhe vazhdojnë të jenë partneri kryesor në proceset e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se Kosova duhet të ruajë balancën mes mbrojtjes së interesave shtetërore dhe respektimit të detyrimeve të marra në proceset ndërkombëtare.
“Biznesi ka nevojë për stabilitet, partneritet dhe besueshmëri ndërkombëtare. Kosova duhet të mbrojë sovranitetin dhe rendin kushtetues, por njëkohësisht të ndërtojë politika të mençura, të koordinuara me aleatët dhe të respektojë obligimet që ka marrë në proceset ndërkombëtare. Diplomacia nuk është dobësi; ajo është mjeti më i fuqishëm për të mbrojtur interesin shtetëror”, thuhet në reagimin e AKB-së, raporton Gazeta10.
Sipas Shahinit, interesat e Republikës së Kosovës duhet të jenë gjithmonë mbi interesat politike dhe partiake, ndërsa uniteti institucional dhe partneriteti me SHBA-në dhe aleatët tjerë janë të domosdoshëm për një të ardhme më të sigurt dhe më të zhvilluar.
“Urtësia dhe forca e një shteti nuk qëndrojnë vetëm në mbrojtjen e sovranitetit, por edhe në aftësinë për të ruajtur besimin e aleatëve. Miqësitë strategjike ndërtohen me përgjegjësi, dialog dhe respekt ndaj zotimeve të marra”, ka përfunduar Agim Shahini. /GAZETA10/