
Kohëve të fundit perfshire diten e sotme, janë publikuar në media pretendime të organizatave joqeveritare lidhur me procedurën e vazhdimit të lejeve mjedisore për hidrocentralet e Deçanit dhe Belajës. Këto pretendime nuk pasqyrojnë gjendjen faktike dhe paraqesin një përshkrim të pjesshëm dhe të pasaktë të procedurës së lejeve mjedisore.
Të njëjtat pretendime kanë qenë tashmë objekt shqyrtimi nga gjykatat kompetente në Republikën e Kosovës, të cilat kanë refuzuar në thelb këto pretendime dhe kanë konfirmuar ligjshmërinë e procedurës së ndjekur.
Në funksion të transparencës dhe informimit të drejtë të publikut, Kelag International dhe KelKos Energy dëshirojnë të sqarojnë faktet dhe të korrigjojnë informacionet e pasakta të publikuara.
Procedura e lejeve është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin e Kosovës
Vazhdimi i lejeve mjedisore po realizohet nëpërmjet procedurës administrative të përcaktuar me legjislacionin mjedisor në fuqi të Republikës së Kosovës. Hidrocentralet kanë operuar për më shumë se një dekadë mbi bazën e lejeve të vlefshme, gjatë së cilës periudhë janë monitoruar vazhdimisht nga aspekti mjedisor dhe kanë qenë subjekt i mbikëqyrjes së rregullt nga institucionet kompetente.
Publiku është informuar plotësisht dhe ka pasur mundësi të marrë pjesë në proces
Në përputhje me kërkesat ligjore, Ministria dhe KelKos Energy organizuan debatin publik më 7 prill 2026, i cili u njoftua paraprakisht dhe ishte i hapur për të gjithë qytetarët dhe palët e interesuara, si me pjesëmarrje fizike ashtu edhe në mënyrë virtuale.
Gjatë debatit publik, eksperti ndërkombëtar i njohur i mjedisit, Dr. Christoph Hauer, prezantoi performancën mjedisore të projektit, rezultatet e monitorimit shumëvjeçar, menaxhimin e prurjes ekologjike si dhe përfundimet e vlerësimit të përditësuar mjedisor.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje të detajuara, të mbështetura në dokumentacion teknik dhe shkencor.
Megjithatë, përfaqësuesit e organizatës Pishtarët, përfshirë znj. Shpresa Loshaj, nuk morën pjesë në debatin publik dhe nuk shfrytëzuan mekanizmat ligjorë të konsultimit për t’i adresuar shqetësimet e tyre drejtpërdrejt ekspertëve dhe institucioneve përgjegjëse.
Më poshtë gjenden disa fotografi nga debati publik të datës 7 Prill 2026



Pretendimet e njëjta janë shqyrtuar tashmë nga gjykatat
Lejet mjedisore dhe vendimet administrative mbi të cilat ato mbështeten janë kontestuar më parë nga të njëjtët akterë para gjykatave kompetente të Republikës së Kosovës.
Pas një procesi të plotë gjyqësor, gjykatat kanë konfirmuar ligjshmërinë e procedurës së lejeve mjedisore.
Pretendimet e rikthyera së fundmi në media nuk paraqesin asnjë provë të re shkencore apo mjedisore që nuk është shqyrtuar më parë nga institucionet kompetente dhe sistemi gjyqësor.
Energjia e ripërtëritshme dhe mbrojtja e mjedisit janë në kohezion me njëra tjetrën
KelKos Energy ka investuar në mënyrë të vazhdueshme në mbrojtjen e mjedisit, monitorimin e prurjes ekologjike, ruajtjen e biodiversitetit dhe implementimin e sistemeve moderne të monitorimit, duke operuar në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe standardet evropiane të mbrojtjes së mjedisit.
Vlerësimet e pavarura mjedisore kanë konfirmuar se projektet operojnë pa ndikime negative në mjedis, ndërsa njëkohësisht kontribuojnë në rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme, forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës dhe uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike.
Përkushtimi ynë mbetet i pandryshuar
Kelag International dhe KelKos Energy janë investitorë afatgjatë në Republikën e Kosovës dhe zbatojnë standardet më të larta profesionale në ndërtimin, operimin dhe monitorimin e hidrocentraleve të tyre, duke respektuar në vazhdimësi të gjitha vendimet administrative të institucioneve kompetente.
Bazuar në praktikën dhe përvojën e institucioneve përgjegjëse, projektet tona konsiderohen ndër projektet me nivelin më të lartë të përputhshmërisë rregullatore dhe standardeve mjedisore, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Përmes filialit të saj, KelKos Energy, Kelag International mbetet e përkushtuar ndaj një operimi transparent, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe standardet më të larta evropiane.
Ne do të vazhdojmë të promovojmë transparencën, përgjegjësinë mjedisore dhe dialogun e hapur me institucionet, komunitetet lokale dhe të gjithë akterët e interesuar.
Besojmë fuqimisht se tranzicioni i Kosovës drejt një sistemi energjetik të sigurtë, të qëndrueshëm dhe të mbështetur në prodhimin vendor duhet të ndërtohet mbi bazat e sundimit të ligjit, ekspertizën shkencore dhe investimet e përgjegjshme, në interes të të gjithë qytetarëve.
Fotografia e paraqitur më poshtë është realizuar më 4 korrik 2026 dhe pasqyron gjendjen aktuale të zonës.
Ndërkaq, fotografitë e publikuara së fundmi nga disa media, përfshirë Koha.net dhe Buletini Ekonomik, janë fotografi të vjetra që datojnë nga viti 2018, kur në atë zonë po zhvilloheshin aktivitete të nxjerrjes së zhavorrit nga kompani të tjera ndërtimore për qëllime krejtësisht të ndryshme. Këto aktivitete nuk kanë pasur asnjë lidhje me ndërtimin apo operimin e hidrocentraleve.
