
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, lidhur me deklaratat e ministres serbe, e cila ka bërë thirrje për spastrim etnik në Kosovë.
Përmes kësaj letre, Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres serbe, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane.
“Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon dhe pret nga BE-ja që t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunović, t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë këtë çështje seriozisht në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo çështje duhet të trajtohet edhe në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Konjufca, përmes letrës drejtuar Kallas, ka kërkuar që institucionet evropiane të reagojnë ndaj deklaratave të tilla dhe të riafirmojnë qëndrimin e tyre ndaj respektimit të paqes, stabilitetit dhe vlerave demokratike në rajon.