ISHP intensifikon hetimet në Gostivar pas mbi 1 mijë rasteve me simptoma gastrointestinale

16:55 | 18 Korrik 2026
ishp-intensifikon-hetimet-ne-gostivar-pas-mbi-1-mije-rasteve-me-simptoma-gastrointestinale

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Dr. Shaqir Zulbeari, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Dr. Sasho Klekovski, dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Gostivarit, zhvilluan sot një vizitë në Gostivar për të ndjekur nga afër gjendjen e pacientëve të paraqitur me simptoma gastrointestinale.

Zulbeari bëri të ditur se ekipet e Institutit të Shëndetit Publik janë angazhuar menjëherë në terren dhe kanë nisur hetimin epidemiologjik për të zbuluar sa më shpejt shkaktarin e situatës.

“Qendra e Shëndetit Publik është e angazhuar drejtpërdrejt në identifikimin e shkaktarit. Ekipet tona kanë filluar anketimet epidemiologjike dhe marrjen e mostrave, të cilat janë thelbësore për përcaktimin e burimit të problemit”, theksoi ai, shkruan Zhurnal.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që paraqiten në institucionet shëndetësore me simptoma gastrointestinale të bashkëpunojnë me ekipet epidemiologjike, duke plotësuar anketat përkatëse.

“Së bashku me marrjen e ndihmës mjekësore, është shumë e rëndësishme që pacientët të japin informacionet e nevojshme në anketën epidemiologjike. Çdo e dhënë është e vlefshme dhe ndihmon në identifikimin më të shpejtë të shkaktarit”, u shpreh  Zulbeari.

Ai theksoi se Instituti i Shëndetit Publik do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë, Spitalin e Gostivarit dhe institucionet e tjera kompetente.

“Do të jemi në terren dhe në shërbim të qytetarëve 24 orë në ditë, deri në sqarimin e plotë të situatës dhe identifikimin e shkaktarit”, deklaroi drejtori i ISHP-së, Zulbeari.

Komento: